» Njoftim për shtyp
Postuar më: 20/06/2016

Njoftim për shtyp

Stina e verës, ISHTI kërkon kujdes në përdorimin e bombolave GLN

Me rritjen e temperaturave të stinës së verës, shtohet ndjeshëm përdorimi i bombolave GLN në plazhet shqiptare, në bare, restorante apo edhe në ambjente të hapura. Për këtë arsye, si dhe në zbatim të ligjit  “Për përpunimin transportimin ,tregtimin e naftës ,gazit dhe nënprodukteve të tyre “, të ndryshuar, vendimit nr.212, date 16.03.2016 të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e kushteve dhe te rregullave teknike për përpunimin e bombolave të gazit të lëngëzuar te naftes”, Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI)  e gjen me vend të informojë  qytetarët në lidhje me kujdesin që duhet të tregojnë për të shmangur çdo rrezik. Pavarësisht se bombolat janë të sigurta,  nëse përdoren si duhet dhe zbatohen rregullat e përcaktuara, përdorimi i gabuar i GLN mund të rezultojë me shpërthime, zjarre, humbje të pasurisë dhe më e rrezikshmja humbje të jetës së qytetarëve.

Për të shmangur ngjarje të tilla ISHTI këshillon që:

– Instalimi i pajisjeve të përdorimit të GLN duhet të kryhet vetëm nga persona të liçensuar ose kompani shërbimi.

– Çdo bombol GLN duhet të inspektohet nga një shoqëri e autorizuar të paktën një herë në pesë vjet. Të dhënat e kontrollit duhet të jenë të stampuara qartë në bombol dhe të verifikohen nga përdoruesi.

– Të përdoret një përzierje uji me sapun për të zbuluar rrjedhjet.  Ndalohet përdorimi i flakëve të hapura, shkrepëseve apo cakmakëve për verifikimin e tyre.

– Mbushja e bombolës së gazit në një autogaz është një vepër penale.

– Bombola e gazit duhet të ruhet larg burimeve të nxehtësisë.

– Mos kryeni gatim në kuzhinë pa mbikëqyrje. Shuarja e flakës mund të krijojë ambjent të rrezikshëm për eksplozion.

– Në rast rrjedhje gazi, menjëherë bëhet mbyllja e bombolës së gazit dhe bëhet ventilimi i ambjentit. Ndalohet përdorimi i çelësave elektrik, prizave, celularëve.

– Mos mbani kurrë një bombol plot apo bosh në një makinë të mbyllur, në parking, bodrum, mos e hidh atë në mbeturina. Bombola bosh është e rrezikshme njësoj si bombola plot.

– Në lokalet e shërbimit, bombolat duhet të përdoren vetëm nga punonjës të trajnuar që njohin rregullat e sigurisë.

– Bombolat e gazit duhet të ruhen, transportohen dhe përdoren vetëm kur janë në pozicion vertikal.

– Bombolat të mos përdoren në dhoma me volum  më të vogël se 10 metër kub.

– Të mos  mbushen bombolat e gazit më shumë se 80% të volumit.

-Tubat e gomës duhet të kontrollohen vazhdimisht, që të mos takohen dhe të jenë në kontakt me temperaturat e sobës së gatimit.

– Gjatë gatimit në sobë nuk duhet të vendosen rroba ose materiale plastike.

– Nëse rrjedhja nuk eleminohet,  nxirret me shpejtësi bombola në ambjent të hapur në distancat e sigurisë nga objektet e tjera.

– Mos  vendosni  bombol nën nivelin e tokës pasi GLN është me e rëndë se ajri dhe mund të krijojë xhepa për rreziqe të mundshme.

– Mos bëj kurrë transferimin e gazit nga një bombol në tjetrën.

– Përdorni detektor tymi alarmues për monoksidin e karbonit dhe gazin e lëngëzuar në ambjentet e familjes.

– Mbani larg fëmijët nga vatrat e djegies dhe bombolat e gazit.

– Nëse largoheni nga shtëpia për periudha të mesme apo të gjata , duhet t’i vendosni të gjithë celësat në pozicionin off.

– Mos përdorni pije alkoolike pranë vatrave të djegies.

– Pas përfundimit të gatimit bëhet shkycja e bombolës së gazit.

Barbekytë janë shumë popullore gjatë muajve të nxehtë. Nëse neglizhohet me regullat e përdorimit ato mund të jenë burim për aksidente tragjike. Masat paraprake dhe mbajtja larg e fëmijëve është me shumë rëndësi. Vendosja e tyre duhet të bëhet në  zonat e ventiluara mirë ku shpejtësia e erës nuk kalon 10 km /orë. Nga statistikat rezulton se 70% e zjarreve shkaktohen në stinën e verës dhe në 50% e rasteve ato vijnë nga ambjentet e gatimit.Masat më të mira për  të shmangur zjarret dhe ngjarjet tragjike janë ato parandaluese të cilat nuk neglizhojnë asnjë nga normat e sigurisë. Po ashtu strukturat e ISHTI-it janë angazhuar për të siguruar konsumatorët se të gjitha bombolat që qarkullojne në treg nga ana e shoqërive të tregtimit me shumicë respektojnë kushtet e sigurisë të përcaktuara në kuadrin ligjor.

 

Shënim: Sot inspektori i Drejtorisë së Naftës dhe Gazit  në ISHTI ,Nako Petro  dha  një konferencë për shtyp , përmes të cilës sqaroi mediat rreth  kujdesit që duhet nga bombolat GLN  gjatë stinës së verës .

 

Kontakt