Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial vijon intensivisht inspektimet në të gjitha subjektet e tregtimit me shumicë e pakicë të karburanteve dhe të lëndëve djegëse.Në zbatim të ligjit “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre” si dhe me angazhimin e kryeinspektorit të ISHTI-t Gazmend Osmani , vetëm gjatë muajit shkurt janë kryer mbi 700 inspektime në gjithë vendin.Pas kontrolleve të ushtruara nga inspektorët e ISHTI-t, në pikat e tregtimit me shumicë dhe pakicë të karburanteve dhe të lëndëve djegëse, janë mbajtur aktet përkatëse të bllokimit, ndalimit apo konstatimit për 332 subjekte.Pas shqyrtimit të akt konstatimeve nga komisioni i ankimeve administrative u vendos masa e gjobës për 80 subjekte të tregtimit me shumicë dhe pakicë të karburanteve dhe të lëndëve djegëse.
Në subjektet ndaj të cilave u mor masa e gjobës, për 73 prej tyre ishte për shkak të mungesës së dokumentacionit ndërsa 7 subjekte u gjobitën për tregtimin e karburanteve jashtë standarteve.Masa e gjobës ndaj këtyre subjekteve vjen në përputhje me ligjin “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”.
Në total masa e gjobave për subjektet që gjetën në shkelje shkon në 36.650.000 lekë ( tridhjetë e gjashtë milion e gjashtëqind e pesëdhjetë mijë lek).Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial do të vijojë pa ndërprerje kontrollet në të gjitha pikat e tregtimit të karburantit dhe të lëndëve djegëse.Ndërkaq për të shmangur situata të rrezikshme për jetën e qytetarëve, ISHTI u bën apel atyre të blejnë bombola gazi (GLN) në pikat e shpërndarjes të cilat janë të certifikuara dhe që përmbushin elementët e sigurisë teknike.
Ndërkaq në kuadër të rritjes së elementëve të sigurisë për tregtimin e bombolave të gazit, qeveria miratoi në mbledhjen e fundit VKM për përcaktimin e kushteve dhe të rregullave teknike për përpunimin e bombolave të mbushura me gaz të lëngshëm të naftës (GLN), ku parashikohet ndalimi i mbushjes së bombolave GLN nga njësitë e tregtimit me shumicë. Në bazë të këtij vendimi Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial është përgjegjës për mbikëqyrjen e aktivitetit të shoqërisë së tregtimit me shumicë, me qëllim garantimin e sigurisë së bombolave të mbushura me GLN.
(listën e subjekteve të ndëshkuara me gjobë si dhe informacionin përkatës për secilin subjekt e gjeni në web-in e ISHTI www.ishti.gov.al)