» Bllokohen 550 ton karburant jashtë standardit në rafinerinë e Ballshit, Balluku: Tolerancë zero për këdo që abuzon me cilësinë
Postuar më: 21/08/2019

Bllokohen 550 ton karburant jashtë standardit në rafinerinë e Ballshit, Balluku: Tolerancë zero për këdo që abuzon me cilësinë

550 ton karburant në depozitën G46 në rafinerinë e Ballshit, i gatshëm për t’u hedhur në treg, është bllokuar nga ana e Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial, pasi parametrat nuk përmbushnin standardet e kërkuara. Grupet e kontrollit të ISHTI-t, në kuadër të aksionit antiinformalitet, kanë bërë bllokimin e kësaj sasie karburanti, e cila tashmë do të ripërpunohet sërish dhe më pas do t’i nënshtrohet një tjetër kontrolli. Vetëm pasi të ketë përmbushur standardet e kërkuara do të lejohet për t’u tregtuar.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe Kryeinspektori i ISHTI-t, Admir Abrija inspektuan masat e marra nga ana e grupeve të Inspektoratit sa i takon sasisë së karburantit të bllokuar në rafinerinë e Ballshit.

Në prononcimin për mediat, ministrja Balluku e vuri theksin tek aksioni antiinformalitet, i cili është shtrirë në të gjithë vendin, duke përsëritur sërish mesazhin se nuk do të ketë asnjë tolerim, për asnjë subjekt i cili abuzon me cilësinë e karburantit, pavarësisht nëse është subjekt  naftënxjerrës, përpunues apo pikë tregtuese.

Lufta kundër informalitetit është një luftë frontale, nënvizoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë duke shtuar më tej se  informaliteti cilësor është po aq i rrezikshëm dhe i dëmshëm sa edhe ai fiskal.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë përmes Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial po kryen kontrolle të befasishme në të gjitha subjektet, qofshin këto naftënxjerrëse, përpunuese apo dhe tregtuese në të gjithë territorin e Shqipërisë. Nuk kemi lënë asgjë për në shtator, ne nuk kemi humbur asnjë ditë por jemi çdo ditë duke punuar dhe duke analizuar të gjithë cilësinë në treg, duke krijuar edhe raste shembuj për të qenë të gjithë të qartë që nga kjo luftë kundër informalitetit nuk do të shpëtojë asnjë subjekt”, u shpreh Balluku.

Ministrja tha gjithashtu se aksioni do të vijojë edhe në ditët në vazhdim në të gjithë territorin, duke shtuar se tashmë në saj edhe të laboratorit të lëvizshëm, grupet e inspektimit të ISHTI-t mund të kryejnë analizat e sasive të karburantit brenda një kohe shumë të shkurtër.

“Ne do të vazhdojmë më tej, kemi laboratorin tonë i cili është një laborator i lëvizshëm dhe arrijmë të nxjerrim analiza të sakta rreth 30 minuta deri në një orë për të gjitha subjektet të cilat do kontrollohen në terren, gjë që është bërë sot dhe këtu, ndërkohë kur kërkohet analizë më e thelluar mostrat shkojnë në Tiranë për t’u parë dhe për t’u analizuar më tej por me laboratorin modern që ISHTI ka në dispozicion kjo është e mundur për t’u bërë brenda një ore në çdo pikë të Shqipërisë dhe ne kështu do vazhdojmë”, theksoi Balluku.

Nga ana e tij, kryeinspektori Abrija bëri të ditur se nga ana e ISHTI-t gjatë muajit gusht është punuar me plane të detajuara inspektimi  dhe plane metodike ndërsa duke nisur nga shtatori planet e kontrollit do të jenë edhe më shumë teknike

“Ne kemi vijuar me plane të detajuara inspektimi dhe me plane metodike duke mos bërë diferencime mes subjekteve të mëdha apo të vogla qofshin ato. Plani i gushtit është plan i fortë, është shumë metodik, ai i shtatorit do jetë edhe më shumë teknik”, tha Abrija duke shtuar se me modernizimin e laboratorit qendror, vendosjen në funksion të autolaboratorit si dhe me hapjen e laboratorit të ri në Porto Romano atëherë produkti që do të dal do të jetë i certifikuar dhe konform standardeve.

Kontakt