Menjëherë pas njoftimit të shpërthimit të një bombole gazi, në këtë subjekt privat, në adresën , Rr.4 Dëshmorët , Njësia numër 8 , Tiranë, Kryeinspektori Gazmend Osmani dhe inspektorë të ISHTI-t kanë mbërritur në vendin e ngjarjes për të bërë verifikimin e kushteve në të cilat ishte bombola.
Nga këqyrja në vendin e ngjarjes rezulton se ambjenti i prodhimit dhe tregëtimit të byrekëve kryhej në katin e parë të një godine 4 katëshe. Në ambjentin e punës ishte montuar një furrë buke e cila për pjekjen përdorte bombola me GLN.
Në momentin e shpërthimit në ambjent gjendeshin 3 bombola GLN me kapacitete secila me 25 kg, nga të cilat 2 ishin boshe dhe në gjendje të rregullt ndërsa tjetra u gjend e ndarë në disa pjesë. Sipas raportimit, subjekti privat përdorte vetëm një bombol për pjekje.
Inspektorët e ISHTI-t pas verifikimit të situatës dolën në këto konkluzione:
Bombola e tretë, edhe ajo 25 kg, ishte e lidhur me furrën e pjekjes, e ndarë në disa pjesë dhe nuk mund të përcaktoheshin të dhënat e saj. Inspektorët e ISHTI-t pasi verifikuan kushtet e bombolës përcaktuan edhe shkakun e këtij shpërthimi .
Sipas tyre:
-Pronarja e subjektit privat ka pohuar se pas mbarimit të gjendjes së GLN në njërën prej bombolave , ajo vetë ka bërë zëvendësimin e saj me një bombol të mbushur, të cilën e kishte në ambjentin e mbyllur dhe të pa ajrosur mirë.
Pasi ka montuar dhe instaluar bombolën, ajo vetë ka bërë kontrollin për rrjedhje të GLN nga ventili tek reduktori i presionit. Këtë veprim ajo e ka kryer me ndezjen e shkrepëses. Pikërisht në këtë moment si rezultat i rrjedhjes së GLN, duke qenë se bombola nuk ishte montuar tërësisht , është ndezur GLN e cila rridhte nga rekorderi që bën bashkimin e e ventilit me reduktorin. Kjo situatë ka bërë që pronaren e këtij subjekti privat, ta kapë paniku, e cila menjëherë ka lënë bombolën duke rrjedhur e duke u djegur dhe ka dalë jashtë ambjentit. Vetë zonja raporton për inpektorët se kjo situatë ka zgjatur më shumë se 30 minuta, deri kur ka ndodhur eksplozioni. Duke qenë se bombola ishte në ambjent të mbyllur , shpërthimi i saj ka sjellë dëmtime edhe për banesat lart subjektit privat që ishte në katin e parë.
Në këto kushte inspektorët konkluduan se aksidenti ka ndodhur për 2 arsye.
Së pari: është montuar keq bombola
Së dyti: nga veprimi i gabuar i zonjës e cila për kontrollin për rrjedhje gazi ka përdorur flakën e shkrepëses, që është kategorikisht e e ndaluar.
Prova e montimit bëhet me shkumë nëse ka rrjedhje apo jo dhe jo me flakë. Subjekti e kishte manualin e përdorimit, por nuk e ka marrë ne konsideratë.