» Të dhëna mbi inspektimet për dy javët e para të muajit shkurt
Postuar më: 17/02/2016

Të dhëna mbi inspektimet për dy javët e para të muajit shkurt

Kryeinspektori i ISHTI Z. Gazmend Osmani dhe inspektorë të këtij insiticioni ushtruan kontroll në një pikë të tregtimit të gazit të lëngëzuar për automjetet në Tiranë, e cila u kap në kushtet e flagrancës duke mbushur bombola me gaz për përdorim shtëpiak në kundërshtim me ligjin dhe u mor masa e bllokimit për këtë subjekt si edhe gjoba sipas parashikimit të ligjit.

Pas këtij inspektimi Kryeinspektori Gazmend Osmani dha mesazhin e tij për mediat, ndërsa foli për punën e këtij insititucioni gjatë muajit shkurt. Në prononcimin për mediat, Kryeinspektori tha se “Vetëm gjatë muajit shkurt, inspektorët tanë kanë kryer mbi 300 inspektime, nga të cilat janë vendosur gjithsej 61 akte konstatime.”

19 raste janë kapur në shkelje në momentin e kontrollit, duke mbushur bombola për përdorim familjar, për të cilat është mbajtur akt konstatimi dhe urdhër ndalimi – (masa e gjobës nga 500 deri në 700 mijë lekë të reja).
42 janë me urdhër ndalimi për mungesë dokumentacioni – (masa e gjobës nga 100 deri në 150 mijë lekë të reja).

Ndërsa për 9 raste që janë me urdhër ndalimi, por nuk ka masë gjobe , u është kërkuar të plotësojnë  dokumentacionin dhe deri në momentin që nuk i plotëson subjekti nuk mund të ushtrojë aktivitetin.

Inspektoriati Shtetëror Teknik dhe Industrial vijon intensivisht punën me inspektimin e pikave të shpëndarjes së gazit në të gjithë vendin e për këtë Kryeinspektori Osmani paralajmëron çdo shkelës të ligjit që do të marrë masën ndëshkimore përkatëse.

“Me këtë rast dua t’u bëj apel qytetarëve të jenë të vëmendshëm në momentin që u drejtohen pikave të shpërndarjes së gazit. Qytetarët duhet të  dorëzojnë bombolat që kanë dhe të marrin një bombol tjetër, që është e kolauduar me të gjithë elementët e sigurisë dhe të kenë patjetër udhëzuesin e përdorimit. Mos të pranojnë në asnjë rast të marrin bombola të pakolauduara pasi kjo përbën rrezik për ta.” – nënvizoi kreu i ISHTI.

Në kuadër të masave  për rritjen e cilësisë dhe shtimit të elementëve të sigurisë në pikat e gazit, qeveria do të miratojë së shpejti një VKM e cila parashikon:

Së pari: Forcim të masave të sigurisë për komunitetin.

Së dyti: Bën të mundur hapjen e tregut duke u larguar nga shitja në ambjentet e mbyllura, në ambjentet e hapura.

Kontakt