» Kontrollohen 130 pika karburanti në Tiranë, Ministrja Balluku thirrje subjekteve: Përmbushni standardet, zero tolerancë për këdo që abuzon
Postuar më: 13/09/2019

Kontrollohen 130 pika karburanti në Tiranë, Ministrja Balluku thirrje subjekteve: Përmbushni standardet, zero tolerancë për këdo që abuzon

130 pika karburanti kanë kaluar në sitën e kontrollit të Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial në rajonin e Tiranës gjatë dy ditëve të fundit. Gjatë këtyre kontrolleve, dy prej pikave të tregtimit janë bllokuar duke mos u lejuar të ushtrojnë aktivitetin pasi u konstatuan me shkelje sa i takon cilësisë së produktit që tregtohej por edhe sigurisë. Rreth 15 mijë litra karburant në këto dy pika rezultoi se ishte jashtë cilësisë së tregtimit.

Një prej këtyre aksioneve të grupit të inspektorëve të ISHTI-t u ndoq nga afër nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Kreu i Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial, Admir Abrija e informoi ministren lidhur me veprimet e kryera nga inspektorët në terren: “Menjëherë pas analizimit dhe daljes së rezultateve nga ana e Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial është marrë masa e bllokimit të këtij produkti. Gjithashtu ka filluar inspektimi online ku pas përfundimit kemi marrë edhe masën e penalitetit me 15 milionë lekë për secilën nga dy pikat e shpërndarjes”.

Ministrja Balluku tha se ky aksion i gjerë është një tjetër provë e vendosmërisë së Qeverisë Shqiptare për t’i dhënë fund informalitetit, si atij fiskal ashtu edhe atij cilësor. Ajo vlerësoi edhe bashkëpunimin mes institucioneve përgjatë këtij aksioni.

“Është e rëndësishme që të gjitha subjektet të kuptojnë që ka zero tolerancë përsa i përket informalitetit qoftë ky fiskal, qoftë ai cilësor. Është shumë e rëndësishme që ne të kemi një bashkëpunim të mirë ashtu siç kemi dhe sot këtu mes Inspektoratit Teknik dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganës. Janë konstatuar shkelje përsa i përket cilësisë, kemi marrë masa. Fakti që sot përballemi me një numër më të vogël shkeljesh, në 130 subjekte të kontrolluara gjatë natës së mbrëmshme kanë rezultuar vetëm dy me probleme, tregon se lufta kundër informalitetit është duke dhënë rezultate shumë pozitive dhe të rëndësishme”, u shpreh ministrja Balluku.

Duke siguruar se aksione të tilla nuk do të jenë vetëm në periudha të caktuara por në mënyrë të përhershme, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë paralajmëroi se nuk do të falet asnjë subjekt që konstatohet në shkelje duke u bërë thirrje atyre që të plotësojnë kushtet teknike dhe ato ligjore ku përcaktohet qartë ushtrimi i këtij aktiviteti.

“Unë u bëj thirrje të gjithëve. Ne do jemi në terren. Të mos përballemi me situata të tilla. Nuk është synimi ynë të kapim sa më shumë subjekte. Synimi ynë është të kontrollojmë këdo dhe të kemi rezultate të mira dhe të pranueshme sipas kritereve, por në rast se këto kritere nuk përmbushen do ketë pasoja kështu siç ka pasur ky subjekt sot i cili është bllokuar dhe nuk do të mundet të funksionojë”, nënvizoi ministrja Balluku.

Që prej nisjes së aksionit antiinformalitet janë bllokuar nga ana e Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial afro 10 mijë ton karburant. Gjatë këtyre aksioneve janë penalizuar me gjoba 24 subjekte tregtare për shkelje të cilësisë dhe sigurisë së tregtimit. Për sasinë e karburantit, e cila është konstatuar si e papërshtatshme për t’u tregtuar është vendosur për t’u kthyer në vendet e origjinë ndërsa në disa raste ajo është kthyer për ripërpunim në rafineri.

Kontakt