» Kujtesë për përdorimin e bombolave të GLN (Gazit të Lëngëzuar të Naftës)
Postuar më: 18/07/2019

Kujtesë për përdorimin e bombolave të GLN (Gazit të Lëngëzuar të Naftës)

Marrë shkas nga disa ngjarje të ditëve të fundit, si dhe konstatimeve  gjatë inspektimeve të kryera nga inspektorët e ISHTI në operatorë të ndryshëm ekonomik, e ndiejmë të arsyeshme për të theksuar edhe njëherë kujdesin që duhet treguar në përdorimin e bombolave GLN.

Përgjithësisht gjatë periudhës së verës, shtohet ndjeshëm përdorimi i GLN në të gjitha ambientet si ato familjare edhe në ato publike si plazhe, bare, restorante, hotele, etj. Kjo  kërkon kujdes dhe vemendje më të madhe nga të gjithë konsumatorët dhe përdoruesit.
Për këtë arsye, si dhe në zbatim të ligjit  Nr. 8450 dt. 24.2.1999 “Për përpunimin transportimin, tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, i ndryshuar, ligjit Nr. 32/2016 dt. 24.03.2016  “Per garantimin e sigurise se punes se paisjeve dhe instalimeve nen presion” VKM nr.212, date 16.03.2016 “Për përcaktimin e kushteve dhe të rregullave teknike për përpunimin e bombolave të gazit të lëngëzuar te naftës”, Inspektorati ShtetërorTeknik dhe Industrial (ISHTI)  e gjen me vend të informojë  të gjithë konsumatorët familjarë ose jo, në lidhje me kujdesin që duhet të tregojnë për të shmangur çdo rrezik.
Shoqëritë e tregtimit të GLN mbushin dhe venë në qarkullim për konsumatorët bombola të koolauduara e të sigurta, nëse nuk përdoren si duhet dhe nuk zbatohen rregullat e përcaktuara, përdorimi i gabuar i tyre mund të rezultojë me shpërthime, zjarre, humbje të pasurisë dhe më e rëndësishmja edhe humbje të jetës së qytetarëve.

Për të shmangur ngjarje të tilla ISHTI këshillon: 

  1. Përdoruesit familjar

– Nuk duhet të përdorin bombola me shenja të dukshme të korrozionit që janë jashtë afateve të kolaudimit të datuar në trupin e bombolës.
– Nuk duhet të mbushen në dyqane që kryejnë tranzvazimin nga një bombol e madhe në një më te vogël
– Nuk duhet të mbushen në pikat e karburantit.
– Në të gjitha rastet nga shitësi i bombolave të mbushura duhet të pajiset me fletë palosjen për cilësinë e vetë bombolës, të instalimit dhe përdorimit.
– Bombola kur nuk sistemohet jashtë, nuk duhet të vendoset në kthina apo në nivele më të ulëta se sipërfaqja e ambientit.
– Bombola nuk duhet të përmbyset ose të lihet shtrirë. Bombolat e gazit duhet të ruhen, transportohen dhe përdoren vetëm kur janë në pozicion vertikal.
– Bombola dhe tubi fleksibël nuk duhet tu ekspozohen burimeve të nxehtësisë.
– Zevendesimi i bombolës nuk duhet të bëhet në prani të flakës, ose paisjeve elektrike në funksionim.
– Para se të bëhet zëvendesimi duhet siguruar që ventili i bombolës që do të zëvëndësohet të jetë i mbyllur.
– Tubi fleksibel jo metalik nuk duhet të ketë gjatësi më të madhe se 1 metër, duhet të kontrollohet rregullisht për dëmtime ose plasaritje dhe të zëvëndësohet  jo më gjatë se 5 vjetësh nga data e shënuar në tub.
– Guarnicioni që bashkon ventilin me rregullatorin e presionit duhet të ndërrohet pas cdo zëvendesimi të bombolës.
– Mbas çdo zëvëndësimi të bombolës duhet të kryhet prova e hermeticitetit të instalimit me ujë e sapun për të zbuluar rrjedhjet.
– Ambienti në të cilin duhet të zëvëndësohet duhet të jetë i hapur dhe i ajrosur
– Mos kryeni gatim në kuzhinë pa mbikqyrje. Shuarja e flakës mund të krijojë ambjent të rrezikshëm për eksplozion.
– Gjatë gatimit në sobë nuk duhet të vendosen rroba ose materiale plastike.
– Nëse largoheni nga shtëpia për periudha të mesme apo të gjata, duhet t’i vendosni të gjithë celesat në pozicionin off.
– Mbani larg fëmijët nga vatrat e djegies dhe bombolat e gazit.
– Mos mbani apo përdorni pije alkoolike pranë vatrave të djegies.
– Pas përfundimit të gatimit bëhet shkycja e bombolës së gazit.
– Asnjëherë të mos bëhet prova me flakë si shkrepse, çakmak, etj.
– Kur ndjehet ere karakteristike e gazit, duhet mbyllur ventili i bomboles, nuk duhet kryer asnjë veprim  sidomos goditje metalike apo kyçje/shkyçje e çelësit të dritave dhe kryhet ajrosje e plotë e ambientit nëpërmjet hapjes së dritareve dhe dyerve mbasi gazi është më i rëndë së ajri dhe përhapet në pjesët e poshme të mjedisit. (dysheme).
– Bombolat të mos përdoren në dhoma me volum  më të vogël se 10 metër kub.
– Mos mbani kurrë një bombol plot apo bosh në një makinë të mbyllur, në parking, bodrum, mos e hidh atë në mbeturina. Bombola bosh është e rrezikshme njësoj si bombola plot.
– Bombolat për përdorim kampingu ( të vogla) nuk duhet të përdoren në mjedise të mbyllura.
– Të mos  mbushen bombolat e gazit më shumë se 80% të volumit.   

  1. Përdoruesin jofamiljar:

– Nuk duhet të përdorin bombola të vjetra me shenja të dukshme te korrozionit që janë jashtë afateve të kolaudimit të datuar në trupin e bombolës.
– Instalimi i pajisjeve për shfrytëzimin e bombolave me GLN kryhet në përputhje me skemën teknollogjike të instalimit të hartuar nga një inxhiner i liçensuar dhe të miratuar nga një Organ i Miratuar si dhe në përputhje me instruksionet e përdorimit që shoqërojnë bombolën, nën përgjegjësinë e shoqërive të tregtimit me pakicë dhe te subjekteve te liçensuar.
– Instalimi i bombolës së gazit duhet të jetë në ambiente të ajrosura, larg burimeve të nxehtësisë dhe instalimeve elektrike. Rekomandohet përdorimi i tubave të bakrit për instalimin e bombolave deri në vatrën e përdorimit.
– Në rastin e përdorimit të tubave të gomës, që lidhin bombolën e GLN-së me instalimin fiks, duhet që tubat të kenë tregues për afatin maksimal të përdorimit të tyre.
– Në lokalet e shërbimit bombolat e GLN duhet të jenë të vendosura jashtë ambienteve të gatimit dhe jo nën nivelin e tokës pasi GLN është më e rëndë se ajri dhe mund të krijojë xhepa për rreziqe të mundshme.
– Instalimi i bombolave duhet të respektojë kërkesat, si më poshtë vijon:

  1. Nuk duhet të përdorin bombola të vjetra me shenja të dukshme te korrozionit që janë jashtë afateve të kolaudimit të datuar në trupin e bombolës.
  2. Në ambiente me volum deri në 10 m3është e ndaluar vendosja e bombolave;
  3. Në ambiente me volum 10-20 m3mund të instalohet një bombol me kapacitet deri 15 kg;
  4. Në ambiente me volum 20-50 m3mund të instalohen deri në 2 bombola, me kapacitet jo më shumë se 20 kg;
  5. Në ambiente me volum mbi 50 m3mund të instalohen 2 bombola, me kapacitet total jo më shumë se 30 kg;
  6. Kapaciteti total i bombolave të instaluara në një ambient familjar nuk duhet të jetë më i madh se 40 kg.

 Përdoruesit janë përgjegjës për marrjen e masave për mirëmbajtjen e instalimeve të bombolave të mbushura me GLN, në përputhje me instruksionet e përdorimit dhe treguesin për tubin e gomës, referuar këshillave të përmëndura më lart. Shoqëritë e tregtimit me pakicë duhet të ofrojnë edhe shërbimin e mirëmbajtjes së instalimeve të bombolave me GLN.
– Përdoruesit e bombolave të GLN-së duhet të kenë të instaluar, në mjediset ku kanë instaluar dhe përdorin bombolat, sistem detektues ( sinjalizues) e autobllokues të furnizimit me GLN.
– Bombolat e mbushura pjesërisht dhe që nuk përdoren nuk duhet të mbahen nga përdoruesi në bodrume, garazhe apo tarraca, nuk duhet të depozitohen në vendet e grumbullimit të mbeturinave dhe as të asgjësohen nga përdoruesi.
– Përdoruesit jofamiljar që përdorin bombola të mbushura me GLN, duhet të jenë te pajisur me një kontratë sigurimi me një shoqëri sigurimesh, për të garantuar rimbursimin e dëmeve të shkaktuara ndaj palëve të treta, në rast aksidenti prej këtyre sistemeve dhe bombolave të GLN-së.
– Në lokalet e shërbimit, bombolat duhet të përdoren vetëm nga punonjës të trajnuar që njohin rregullat e sigurisë.

ISHTI  ju rikujton se masat më të mira për të shmangur ngjarjet tragjike janë ato parandaluese kur nuk nënvlerësohet asnjë nga normat e sigurisë.

Kontakt