Inspektoriati Qendror Teknik nuk ka një ligj mbi të cilin të bazojë aktivitetin përsa i takon zbatimit të standardeve në sektorë të tillë si hidrokarburet dhe elektroenergjia.
Ky ka qenë konstatimi i dalë nga Grupi i Punës i ngritur me urdhër të ministrit të Energjisë dhe Industrisë për rishikimin e bazës ligjore që lidhet me aktivitetin e këtij institucioni kryesisht në sektorët e hidrokarbureve, elektroenergjisë dhe industrisë.
Grupi i Punës ka evidentuar se deri më tani, puna e Inspektoriatit bazohet vetëm mbi dispozitat ligjore referuese pasi ligji i vjetër për Inspektoriatin është shfuqizuar.
“Inspektoriati duhet të ketë të drejtën e kontrollit të respektimit të kushteve teknike në të gjitha subjektet që përdorin impiante teknike dhe teknologjike, në fushen hidrokarbure, të energjisë elektrike apo asaj të rinovueshme, të industrisë dhe atë minerare.
Inspektoriati duhet të ketë të drejtën e kontrollit të cilësisë së produkteve vetëm në fushën e hidrokarbureve dhe minerare.
Kontrolli i cilësisë së produkteve në të gjitha fushat e tjera të ekonomisë duhet të kaloje në organet e tjera shtetërore sipas përkatësisë.
Në autoritetin e ri inpektues duhet të ekzistojë dhe një strukturë e vecantë për ekzekutimin e masave shtrënguese që do të marrë ky organ në zbatim të dispozitave ligjore”, propozojnë ekspertët.
Sipas ndryshimeve ligjore të propozuara më lart do të ketë edhe ndryshime përkatëse në ligjet respektive.
Vec të tjerash, në këto ndryshime do të përfshihen dhe licensimi i subjekteve private në fushën e projektimit teknik e teknologjik sipas linjave, si dhe dorëzimi i dokumentacionit teknik pranë arkivave(mund te jete Arkivi Qendror Teknik I Ndertimit).
Grupi i punës ka vërejtur se dalja e Ligjit Nr.10489 dt. 15.12.2011 „Për Tregtimin dhe Mbikqyrjen e Tregut të Produkteve Joushqimore“, i ndryshuar me Ligjin Nr. 17/2013 dhe sidomos shfuqizimi i Ligjit Nr. 8739 dt. 12.2.2001 „Për Garantimin e Sigurisë së Punës të Pajisjeve Nën Presion“ me ane të Ligjit Nr. 85/ 2013 date 14.02.2013, sollën impakt negativ në aktivitetin e I.Q.T., duke përjashtuar rolin e këtij institucioni për tu shprehur mbi mundësinë dhe aftësinë teknike të këtyre Organeve të Vleresimit të Konformitetit (O.V.K.) dhe duke rritur në këtë mënyrë shkallën e pasigurisë së këtyre pajisjeve, sidomos nëpërmjet delegimit të kryerjes së inspektimeve teknike tek “Organet e miratuara“ .
“Përjashtimi i I.Q.T. –së na bën të mendojmë se ka një rënie të cilësisë së punës dhe ka raste kur vlerësimi i konformitetit nga “Organet e Miratuara” apo O.V.K. – të, është kryer në një formalitet “, vërejnë ekspertët.
Për këtë arsye, është i domosdoshëm miratimi i një ligji të ri për pajisjet nën presion
i cili të përfshijë :
– garantimin e sigurisë së punës të pajisjeve nën presion
– ushtrimin e veprimtarisë inspektuese në drejtim të garantimit të sigurisë së punës së pajisjeve nen presion
– kryerjen /certifikimin e inspektimeve teknike të vënies në punë dhe periodike të pajisjeve nën presion
– kryerjen e inspektimeve të subjekteve për vënien në shfrytëzim të pajisjeve nën presion që të plotësojnë kërkesat e akteve nënligjore të projektimit, prodhimit, vlerësimit të konformitetit, përdorimit dhe kontrollit teknik për secilin grup të pajisjeve nën presion.
Siguria elektrike
Në Shqipëri mungon ligji për sigurinë elektrike dhe i vetmi ligj me të cilën operon Inspektoriati Qendror Teknik është Ligji nr 8734 dt 01.02.2001 i cili ka pësuar shumë ndërhyrje dhe realisht nuk i pergjigjet zhvillimeve social ekonomike të vendit tonë.
Ekspertët propozojnë një model të vitit 2010 i një vendi anglosakson .
Grupi i punës, gjatë muajit dhjetor 2013 ka punuar dhe përgatitur në fazën fillestare një Draft të Ligjit të Sigurise Elektrike dhe po vijohet me përgatitjen e Aktit Nënligjor përkatës dhe të tarifave të shërbimit.
Grupi i punës propozon gjithashtu të ndërhyhet dhe në Ligjin nr. 8450 datë 24. 02.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre” , i ndryshuar.
Në lidhje me këtë ligj, ekspertët propozojnë që të saktësohet terminologjia, të saktësohen subjektet operuese në secilën prej fushave të përpunimit,tregtimit dhe transportimit si dhe kushtet teknike për marrjen e lejeve të tregtimit nga secila prej tyre.
Njëkohësisht kërkohet që të përfshihen në ligj dhe sanksione për shkelësit e dispozitave ligjore.