» Ministri Gjiknuri në Kuvend: Disiplinim tregut të hidrokarbureve
Postuar më: 19/06/2014

Ministri Gjiknuri në Kuvend: Disiplinim tregut të hidrokarbureve

 

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri i ftuar në komisionin kuvendor të veprimtarive prodhuese e tregtisë deklaroi se cdo impiant përpunimi i naftës në vend do të vihet në kontroll me miratimin e ligjit të ri për hidrokarburet. I ftuar në një seancë dëgjimore nga deputetët e komisionit, ministri Gjiknuri tha se sot pikat e karburantit në Shqipëri shesin naftë e benzinë jashtë kontrollit të cilësisë dhe standardeve.

“Formalizimi i atyre që quhen impiante rafinerie, apo përpunimi, të cilat deri tani kanë punuar në mënyrë ilegale. Kanë qenë jashtë çdo lloj kontrolli, jashtë çdo lloj standardi dhe shpesh herë merrnin naftën bruto e produkte të tjera, i përziejnë dhe i hedhin në treg. Ua sheshin konsumatorëve industrialë, apo konsumatorëve në pikat e karburanteve.

Në këtë ligj parashikojmë licencimin e këtyre impianteve”, tha Damian Gjiknuri, ministër i Energjisë dhe Industrisë. Ndyshimet e parashikuara në ligjin për hidrokarburet parashikojnë forcimin e masave ndëshkuese për shkelësit e ligjit, si dhe publikimin e emrave të subjekteve mashtruese.

Fjala e mbajtur nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri në mbledhjen e Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese ku u paraqit Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”:

Mirëdita të gjithëve,

Ju falënderoj zoti Kryetar, që më jepni mundësinë të jem këtu. Vlerësoj shumë edhe angazhimin e Komisionit, dialogun që kemi patur edhe më parë, për të bërë të qartë objektivat që synojmë me këtë projektligj. Duhet të them se kjo nismë përmban ndryshime në ligjin ekzistues, që kryesisht kanë të bëjnë me tregtimin, transportin dhe elementët e tjerë që lidhen me hidrokarburet. Pra, është ajo pjesë nga prodhimi deri tek shpërndarja e tregtimi tek konsumatori final. Këto janë detyrime që rrjedhin edhe nga programi i qeverisë shqiptare, i miratuar në Kuvend, që përcakton interesin e veçantë për të rregulluar tregun e hidrokarbureve, rritjen e sigurisë teknike, rritjen e cilësisë, mbrojtjen e popullatës. Të gjitha këto konsolidojnë qoftë të drejtat e konsumatorëve, sigurimin me energji sepse edhe kjo është pjesë e furnizimit të vazhdueshëm, por edhe përmbushjen e gjitha detyrimeve që vendi ka në kuadër të standardeve të Bashkimit Evropian.

Pavarësisht se kjo nuk ka të bëjë me një përafrim direkt të direktivës, Shqipëria në kuadër të Traktit të Energjisë dhe detyrimeve të tjera të BE-së në lidhje me çështjen e hidrokarbureve, ka detyrime për tu implementuar. Ndryshimet në këtë ligj kanë të bëjnë me forcimin e kapaciteteve, bërjen të mundur të dispozitave të qarta ligjore, që këto standarde të përmbushen edhe në Shqipëri. Disa standarde kanë qenë të shkruajtura, por nuk janë përmbushur, duke çaluar e duke e kthyer tregun e karburanteve në një situatë jo të mirë. Shqetësimet kanë qenë shumë të mëdha dhe vitet e kaluara ka patur edhe një mungesë transparence, për shkaqe nganjëherë edhe artificiale, pasi ligji nuk u lejonte publikimin e emrave të shkelësve. Gjë që ky ligj e rregullon duke i dhënë një element më shumë transparencës. Ajo që synojmë me këto ndryshime është edhe disiplinimi i asaj pjesë që në vitet e fundit u kthye në fenomen shqetësues, e që kishte të bënte me hedhjen në treg të produkteve të falsifikuara, jashtë çdo lloj standardi dhe të rrezikshme për mjetet e jetën e njerëzve. Një nga elementët që prek ligji tek tregtimi i gazit ka të bëjë me mbrojtjen e jetës dhe pasurisë së qytetarëve, pasi mënyra se si është tregtuar gazi në Shqipëri ka qenë vazhdimisht burim rreziku për jetën e qytetarëve.

Ky ligj, vendos rregulla që e disiplinojnë këtë aspekt duke përcaktuar qartë se kush i çertifikon bombolat dhe kush është i autorizuar t’i tregtojë. Jo çdo njeri mund të mbushë një bombol si të ishte duke mbushur një enë me ujë dhe të mund ta tregtojë pasi kjo përbën një kërcënim për jetën dhe pasurinë e qytetarëve.

Nëse do të theksoja disa nga ndryshimet thelbësore, do të nënvizoja futjen e formalizimit të atyre që quhen impiante rafineri ose impiante përpunimi. Deri më tani, ato kanë punuar në mënyrë thuajse ilegale, jo në definicionin e parë të ilegalitetit se nuk kanë qenë të ligjshme për të vepruar, por kanë qenë jashtë çdo lloj kontrolli, jashtë çdo lloj standardi dhe shpesh merrnin naftën bruto duke e përzier dhe e hidhnin në treg duke ja shitur konsumatorëve industrialë dhe konsumatorëve në pika karburanti.

Ka qenë një shqetësim shumë i madh dhe po ta vini re, në zonën e Fierit ka patur një bum si kërpudha nga gjithë këto impiante ilegale. E gjithë kjo situatë erdhi edhe për shkak të ndryshimeve që u bënë më parë, gjoja me synimin mbase të mirë për liberalizimin. Por, liberalizimi kur vjen çështja tek produktet e rregulluara dhe që kanë çertifikime të caktuara e që cënojnë jetën dhe interesat e konsumatorit, patjetër kërkon një lloj disiplinimi më të mirë. Në këtë ligj, parashikojmë licencimin e këtyre impianteve për kategori të caktuara të prodhimeve që bëjnë, kartën teknologjike që do kenë. Në bazë të licencës dhe kategorisë ku licencohen, do të mund të kontrollohen e do të merren masat e duhura nëse shkelin detyrimet që u caktohen. Ky është një ndryshim shumë i rëndësishëm me impakt të menjëhershëm në cilësinë e karburanteve që hidhen në treg apo llojet e tjera të lëndëve djegëse që përdoren për qëllime industriale.

Kemi lënë një afat tre mujor për të gjitha këto impiante, jo për t’i penalizuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, pasi kjo nuk do të ishte normale. Kemi lënë një kohë prej tre muajsh që nga dalja e akteve nënligjore për të përshtatur, aplikuar dhe shqyrtuar më pas nga strukturat shtetërore për licencimin e tyre. Këto ndryshime janë konsultuar edhe me grupet e interesit dhe realisht kanë gjetur një mbështetje të fortë nga ana e tyre.

Ndryshimet e tjera aty kanë të bëjnë me masat, jo vetëm për gjobat, por edhe për heqjen e licencës. Është normale, këtu mund të ketë debat për masën e gjobave dhe mund të ketë sugjerime nga ana e deputetëve, por ka qenë një pikë e dobët, moszbatimi i gjobave por edhe pamundësia për të hequr licencën. Këto subjekte vazhdonin ushtronin aktivitetin e tyre, shpesh herë qytetarët nuk e dinin se kush janë këto subjekte dhe binin pjesë e skemave të mashtrimit me produktin e tyre. Me këtë ligj do të kemi mundësinë që të publikojmë të gjithë emrat e abuzuesve. Përmenda aspektin e gazit, tregtimin e gazit, një sektor shumë i rëndësishëm i ekonomisë. Ndryshimet imponojnë rregulla të forta teknike, nuk ka më tregtim bombolash ku mund ta bëjë çdo njeri, bombolat do të çertifikohen pikat e shumicës që do t’i rrinë deri në fund përgjegjësisë së tyre për të kontrolluar deri tek konsumatori final.

Edhe ky ka qenë një shqetësim i madh dhe ndryshimet në këtë ligj do të sjellin përmirësimet e nevojshme edhe në këtë drejtim.

Futet edhe mundësia e kontrollit tek impiantet industriale. Shpesh herë konsumatorë të mëdhenj duke përdorur këto nënproduktet e falsifikuara, ndonjëherë edhe naftë bruto, apo produkte që nuk lejohen të digjen, siç janë fabrikat e çimentos ishin jashtë mundësisë së kontrollit. Jo vetëm shërbenin si mundësi për abuzim dhe shmangie ndaj detyrimeve fiskale, por edhe shkaktonin ndotje të madhe mjedisi. Kuptohet, standardet e karburanteve mbrojnë konsumatorin për mjetet e tyre por mbrojnë edhe cilësinë e ajrit. Në këtë ligj, disiplinohen edhe këto çështje ku i jepet mundësia Inspektoratit, i cili tanimë është riorganizuar dhe ka gjithë mbështetjen e nevojshme të bëjë zbatimin e këtij ligji.

Aty ka edhe ndryshime që kanë të bëjnë me licencimet e rafinerive, janë përshtatje që mund të duken teknikalitete. Ka shtim përkufizimesh në ligj për të dhënë sqarimet e nevojshme se çfarë përbën falsifikim, se çfarë quhet impiant, cila është rafineria dhe të drejtat që vijnë me rafinerinë. Ka edhe elementë që rregullojnë marrëdhënien e institucioneve përkatëse të monitorimit dhe Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë apo subjekteve private.

Unë do të thoja se këto janë disa nga elementët më thelbësore që po e theksoj, synojnë disiplinim të tregut, rritje të mundësisë së kontrollit, standarde më të mira teknike, shmangie të produkteve të falsifikuara, mbrojtje të mjedisit dhe jetës së konsumatorëve. Ministria është shumë e hapur për diskutime nga ana e komisionit dhe e ritheksoj se ky ligj është konsultuar me të gjitha grupet e interesit. Kemi zhvilluar konsultat me grupet e interesit dhe një pjesë e mendimeve të tyre janë reflektuar, kemi diskutuar edhe me Komunitetin e Energjisë në Vjenë dhe kemi marrë mbështetjen e tyre. Janë në mbarim e sipër edhe paketat e akteve nënligjore që gjithashtu do të konsultohen me të gjitha grupet e interesit. Kërkoj mbështetjen e Komisionit si një ligj shumë i rëndësishëm që do të sjellë shumë të mira për qytetarët shqiptarë.

 

Ndërhyrja në përgjigje të deputetëve:

Po e fillojmë me radhë atëherë siç është edhe renditja e pyetjeve që keni bërë. Së pari, po i referohem pyetjeve të zotit Dashi në lidhje me gjobat e parashikuara dhe procedurat që do të ndiqen, pse rriten gjobat dhe se sa mundësi do tu jepen subjekteve për tu përgatitur me regjimin e ri juridik. Po e nis nga pjesa e dytë e pyetjes. Ka disa muaj kohë për përgatitjen e akteve nënligjore, Kryetari i sugjeroi komisionit që mund të jetë një kohë më e shkurtër edhe se gjashtë muaj. Ne po punojmë për këtë dhe mendoj se në momentin kur aktet do të jenë gati, do të nisë konsulta me grupet e interesit. Po e them publikisht, nuk do të miratohet asnjë akt nënligjor pa u konsultuar me grupet e interesit që të gjithë këta njerëz që kanë investuar, nëse e kanë seriozisht mund të marrin asistencën dhe konsultimin për procedurat dhe produktet. Nuk do të mungojë asistenca dhe vet kam insistuar që të lihet një afat i pranueshëm, jo afat shumë i gjatë pasi nis bëhet ligji i pazbatueshëm. Një periudhë deri në gjashtë mujore, tre muaj nga hyrja në fuqi e akteve nënligjore dhe më pas disa muaj konsulta do të jenë mëse të mjaftueshme që të krijohet komunikimi i nevojshëm.

Në lidhje me pyetjen për  konsumatorët mbi 50 metër kub, unë thashë se për herë të parë po fusim kontrollin tek impiantet e tjera industriale si fabrikat e çimentos, tullave etj. që konsumojnë lëndë djegëse apo hidrokarbure. Nuk kemi një inventar të saktë dhe kjo ka qenë edhe arsyeja që duhet të nisë ky proces të jenë nën monitorim dhe kontroll. Kemi të dhëna për ata konsumatorë kryesorë por ka edhe nga ata konsumatorë që të vetmen marrëdhënie që e kanë me shtetin është pagesa e tatimeve dhe taksave, pa e vrarë mendjen njeri për elementët mjedisore apo të standardeve. Ky ligj është një instrument për të bërë kontrollin e nevojshëm dhe për t’i monitoruar.

Në lidhje me pikat e karburantit dhe numrin e tyre do të thoja se është shumë e drejtë, pasi ndonjëherë Shqipëria duket si vend unik, për numrin e lartë të pikave të karburantit. Nëse do të shtronim pyetjen se pse ka cilësi të dobët të karburantit, do të thoja se edhe me shumë pika ku konkurrenca bëhet absurde, gjëja e parë që do synojnë ata është paligjshmëria tek sasia dhe cilësia. Po ta shikoni ligjin e ri, është parashikuar një vendim qeverie që përcakton procedurat e licencimit të pikave të karburantit. Deri dje, një pikë karburanti licencohej si çdo aktivitet tjetër privat duke marrë një leje ndërtimi nga komuna dhe më pas ngrije karburant afër rrugës, shpesh herë edhe në marrëdhënie korruptive me autoritetet e rrugëve. Qeveria ka ngritur një grup pune që po merret me këtë çështje, kemi evidentuar pikat ilegale të cilat një pjesë realisht duhet të prishen pasi janë ndërtime të paligjshme. Ka investime të tjera që kanë nevojë për rregullim dhe bashkë me Ministrinë e Transportit dhe disa ministri të tjera është ngritur një grup pune e po vepron pasi është një çështje më komplekse. Po punohet që të reduktohet numri i pikave në mënyrë të logjikshme që të mos cënojmë as konkurrencën por edhe të garantojmë sigurinë në treg e të kemi aq konkurrentë sa të mbajnë standardet e duhura. Ky është proces kompleks sepse Shqipëria e dimë që ka vuajtur nga problemet me menaxhimin e territorit. Qeveria e ka marrë këtë situatë shumë seriozisht dhe po punohet. Ju si deputetë e keni mundësinë që të kërkoni më shumë informacion për këtë gjë, ndërsa ne jemi ende duke punuar. Procedurat e bëjnë marrjen e një leje karburanti më të vështirë e më të kontrolluar, pikërisht për të siguruar eliminimin e këtij fluksi pa kontroll.

Në lidhje me pyetjen që ngriti deputeti Bare për rafineritë shqiptare. Dua të them se rafineritë shqiptare kanë kaluar një kalvar që ju e dini e që ka të bëjë me mënyrën se si u privatizuan. U privatizuan duke ju dhënë atyre që nuk arritën të investonin e t’i sillnin në parametrat e duhura. Zakonisht, rafineritë shqiptare kanë prodhuar bitum apo produkte të tjera por jo ato të nivelit të lartë evropian. Muajt e fundit ka patur një tentativë nga investitorët e rinj të Ballshit për të bërë investime të nevojshme atje. Kuptohet, gjithçka shkon tek kostoja. Rtafineritë shqiptare kanë nevojë për investime pasi këtu pjesa më e madhe e naftës bruto shkon për eksport dhe ne jemi munduar që të gjendet mundësia për të furnizuar rafineritë shqiptare për bitum solar apo produkte të tjera për përdorim industrial.

Ne po i monitorojmë të gjithë procesin e rafinerisë së Ballshit por edhe atë të Fierit. Në Ballsh do të kërkohen investime dhe me sa kam unë informacion po investohet pasi janë hedhur para. Inspektorati ka bërë detyrën e tij në këtë rast dhe kur ka patur shkelje janë bllokuar. Në Inspektoratin Qendror Teknik janë të gjitha kampionet e analizave dhe mund të shihet se çdo produkt që ka dalë ka qenë në përputhje me kërkesat e ligjit.

Sa i takon pyetjes suaj për çmimin e karburantit, kjo është çështje komplekse që varet nga tregu ndërkombëtar. Nuk është e vërtetë se nuk ka patur ulje çmimi pasi po ta kujtoni në fillim të vitit ka patur një çmim më të lartë e tani ka një stabilizim. Çmimi varet nga ai ndërkombëtar por edhe nga ngarkesat fiskale që ka në territorin e Republikës së Shqipërisë. Çmimi i karburantit ndjek në përgjithësi trendin e vendeve të rajonit dhe unë besoj se në këtë moment që flasim, çmimi i karburanteve në Shqipëri është në parametra të krahasueshëm me rajonin e ndoshta edhe më lirë.

Është tjetër gjë pastaj çështja e standardeve edhe cilësisë. Duke ju përgjigjur kështu edhe një pyetje të zotit Shehu, dua të them se pikërisht ajo që synojmë me këtë ligj është rritja  e kapaciteteve shtetërore dhe instrumenteve. Jo se ne kemi plumbin e artë se çfarë do shkruajmë këtu realizohet, por ama vendosja e gjobave shton shanset për ligjshmërinë, mundësia e heqjes së licencës shton shanset e ligjshmërisë, publikimi i emrave të subjekteve gjithashtu ka të njëjtin efekt. Ato subjekte që nuk janë të penalizuara për një kohë të gjatë, janë ato që ofrojnë cilësinë më të mirë. Kompanitë dhe pikat që vazhdimisht i kanë rezistuar kontrolleve dhe nuk kanë dalë me shkelje, janë ato pika ku të gjithë do të donin të merrnin karburant.

Në dijeninë tonë dëmtuesit më të mëdhenj të cilësisë së karburanteve janë impiantet e përpunimit që marrin mbeturina bitumi, naftë bruto dhe riciklojnë nënprodukte nafte duke i hedhur në pika të ndryshme karburanti. Duke bllokuar burimin rriten shanset që ligjshmëria të jetë në lartësinë e duhur. A do jetë në lartësinë e duhur? Kjo mbetet një sfidë e shtetit por me rëndësi është të mbyllim çdo hapësirë që ekziston me ligj dhe më pas të rrisim edhe rolin e Inspektoratit dhe kontrollin.

U ngrit dhe një çështje këtu për gjobat e larta. Vërtet janë rritur por me ligjin aktual ato reflektojnë nivelin e vitit 1999. Jemi në parametra të tjera ekonomike tani dhe nuk mund të krahasohet gjoba e vitit 1999 dhe ajo e vitit 2014. Nëse shohim vendet fqinje dhe po marr vetëm Greqinë, minimalja e gjobave atje është 50 mijë euro. Vende të tjera e marrin shumë seriozisht pjesën e gjobitjes dhe marrjen e masave për falsifikatorët. Një masë tjetër ekstra nuk është vetëm gjoba, pasi kemi edhe heqjen e licencës. Kur ti hiqet licenca ai kthehet në një tregtar ilegal që rrezikon sekuestro dhe ato masa që njihen nga legjislacioni në fuqi.

Në lidhje me pyetjen dhe sugjerimin e zotit Shalsi se a do të ishte momenti të bënim një ligj të ri, unë do thoja se ka një studim se sa përqind e ndërhyrjeve mund të lejohen në ligj për të justifikuar ligjin e ri. Ne kemi ndërhyrje por nuk prekin tërësinë e ligjit pasi subjektet janë mësuar me të dhe janë të njohura me dispozitën. Ne po bëjmë disa amendime që parashikojnë rregullime të reja ose ndryshime dhe menduam se do të ishte më mirë të kalonim amendimet. Ndoshta, në perspektivë do të shikojmë edhe hartimin e një ligji të ri për të zgjeruar legjislacionin e hidrokarbureve. Kjo ndërhyrje është me rëndësi për çështjen e situatës ku ndodhemi pasi në vitet e fundit është përkeqësuar gjendja nga mbyllja e syve që ju bë nga shteti e që krijoi hapësira për abuzim.

Për sa i përket akteve nënligjore, ne vumë një afat deri në gjashtë muaj, jo se do të thotë se do marrë patjetër gjashtë muaj pasi mund të bëhen edhe për më pak. Aktet, shumica janë gati për tu konsultuar dhe sapo të hyjë ligji në fuqi do nisim konsultat. Do thoja se gjashtë muaj është afati tavan maksimal dhe deri në shtator-tetor do të kemi gati aktet e deri në fund të vitit do mbyllet formalizimi i impianteve. Sa i përket pyetjes se sa impiante janë, nuk e kemi numrin e saktë, them se janë rreth 15 por pikërisht se është një aktivitet që nuk raportohet e as nuk regjistrohet, kjo e bën të pamundur të kesh një statistikë të qartë. Ju jeni deputetë, keni kontakt me zonat zgjedhore dhe mjafton të shikoni zonën e Fierit apo Ballshit çka tregon shtimin e këtyre impianteve. Shumë deputetë të fierit që kam kontaktuar e mbështesin këtë nismë.

Në lidhje me pikat e karburantit kemi një inventar. Për sa i takon monitorimit, edhe këtu ka një grup pune të ngritur nga Kryeministria për të gjetur sistemin që lehtëson edhe fiskun, ministrinë tonë dhe autoritetet tjera për monitorimin karburanteve.

Kontakt