» MEI dhe ISHTI takim me Sh.a e GLN
Postuar më: 27/04/2016

MEI dhe ISHTI takim me Sh.a e GLN

Në ambjentet e Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial u mbajt takimi i radhës me shoqëritë e tregtimit me shumicë GLN dhe përfaqësues të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë. Mbledhja, e cila ishte thirrur nga kryeinspektori i ISHTI Gazmend Osmani, kishte në fokus prezantimin për Sh.a, të dispozitave të reja ligjore që disiplinojnë tregtimin e sigurtë të GLN me bombola për konsumatorin fundor.

Në takim morën pjesë të gjithë përfaqësuesit e Sh.a në vend, të cilët mirëpritën VKM dhe aktet e tjera ligjore, përmes të cilave sigurohen standarte më të larta  sigurie dhe rregullim të plotë të tregut.

Në këtë takim, shoqëritë  propozuan që, përvec masave teknike dhe të tregut që janë përfshirë  tashmë në aktet e reja, të rishikohet mundësia për ndryshime fiskale  dhe për të vendosur akcizë ndaj GLN që shitet për automjetet.

Për këtë propozim të Sh.a drejtues të ISHTI, u shprehën se do të diskutohet bashkarisht me Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, për rishikimin e  këtyre politikave. Kryeinspektori Gazmend Osmani, theksoi rëndësinë e regjistrimit të  të  gjitha bombolave pranë ISHTI, duke kujtuar këtu afatin kohor  deri në fund të muajit prill për të cilin Sh.a janë njoftuar më herët.

Në zbatim të ligjit 10489/2011, ligjit 32/2016 VKM  212/2016 dhe urdhërit të ministrit 128/2016 ishti u drejtoi kërkesën të gjitha Sh.a për regjistrimin e të gjitha bombolave brenda muajit prill  dhe marrjen e masave për zbatimin e dispozitav e të këtij urdhëri.

Sh.a kanë detyrimin  të mbushin vetëm bombolat e regjistruara, e që plotësojnë kushtet e sigurisë. Bombolat që qarkullojnë në treg mund të mbushen nga Sh.a vetëm nëse regjistrohen dhe i janë nënshtruar inspektimit teknik nga organet e pavarura të miratuara.

Në përfundim u konkludua që:

Sh.a do të përfundojnë procesin e regjistrimit brenda afateve të kërkuara dhe do të fillojnë procesin e nënshkrimit të marrëveshjes me organet inspektuese të miratuara, në përputhje me dispozitat e urdhërit të ministrit numër 128.

Sipas këtij urdhëri, bombolat të cilat nuk përmbushin kriteret e sigurisë teknike dhe dokumentacionin vërtetues përkatës nuk mund të mbushen nga  Sh.a.

Fjala hapëse e këtij takimi u mbajt nga sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë Koli Bele.

Ndërkaq prezantimi i dispozitave ligjore dhe teknike u bë nga drejtoria teknike që mbulon fushën e sigurisë teknikne dhe mbikëqyrjen e tregut në ministri.

Ky është  takimi i dytë mes institucioneve shtetërore dhe sh.a për diskutimin e VKM dhe akteve të tjera ligjore, përmes të cilave sigurohen standarte më të larta dhe rregullim i plotë të tregut.

Takime të tjera do të vijojnë në ditët e ardhshme.

 

Kontakt