Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri ka kërkuar nga Inspekoriati Qendror Teknik të zbatojë me rigorizitet standardet dhe të vendosë rregulla të rrepta në tregtimin e gazit dhe naftës.
Në fjalën e mbajtur gjatë analizës vjetore të këtij institucioni, ministri Gjiknuri tha se
ky institucion është një armë shumë e fuqishme, shumë e rëndësishme dhe IQT duhet të jetë shumë efikas për realizimin e objektivave.
Gjiknuri është ndalur tek një problematikë e hasur ndër vite, pikat e karburantit.
Sipas tij, çështja e pikave të karburantit është një problem shumë kompleks, shtrirja e tyre në të gjithë territorin e Shqipërisë ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, gjë që jo domosdoshmërisht është e mirë.
“Kemi ndërhyrje të paligjshme në infrastrukturën rrugore dhe qeveria po punon për një plan konkret në lidhje me adresimin e këtij fenomeni kaq problematik.
Kemi ndërhyrje të paligjshme, pika karburanti të palicensuara, çështje të tjera që ndikojnë direkt tek evazioni dhe tek produktet jashtë standardeve.
Pikërisht, për këtë do të bashkëpunojmë me ministritë e tjera për të organizuar një plan konkret sesi do ta adresojmë këtë problem ”, është shprehur ministri Gjiknuri.
Në fjalën e tij, ministri ka vlerësuar punën e kryer nga inspektoriati, i cili vetëm në tre muaj, që nga tetori deri në fund të vitit, ka evidentuar 400 raste të pikave të licensuara.
Sipas ministrit, një fenomen tjetër shqetësues, ku Inspektorati Qendror Teknik duhet të përqendrohet është problemi i rafinerive ilegale.
“Ndryshimet që janë bërë në ligj, fatkeqësisht kanë krijuar hapësirën e nevojshme për të ndërtuar gjoja impiante-riciklimi që në bazë të tyre dhe qëllim në vetvete kanë marrjen e naftës bruto dhe përzierjen për efekt të lëshimit të këtij produkti hidrokarbur në treg. Kjo nuk do të lejohet më!, ” tha ministri.
Ministri Gjiknuri ka vlerësuar dhe punën e mirë sipas tij që është bërë nga Inspektorati kohët e fundit edhe me gazin, për tregtimin e bombolave të gazit, një rrezik permanent për publikun.
“Këtu patjetër duhen rregulla më të forta, një mbikëqyrje shumë më të fortë. Për më tepër, zhvillimet e perspektivës energjetike të Shqipërisë me ngritjen në të ardhmen edhe të një rreti të shpërndarjes së gazit do të donte kapacitete të forcuara nga ana e inspektoratit në mënyrë që edhe Shqipëria të ecë më ritmin e zhvillimit të sektorit të gazit. Ju si inspektorat do të keni rolin tuaj”, tha Gjiknuri .
Për ta mbyllur, tha ministri, “duhet të jemi të vendosur për dhënien fund të këtij aktiviteti ilegal që është ngritur në Shqipëri, gjoja nën lëvozhgën e riciklimit, por që po përdoret për të ndikuar direkt në këtë sektor energjetik të rëndësishëm duke nxjerrë produkte jashtë standardit dhe duke u kthyer në një rrezik për publikun si edhe një shkelje e hapur e ligjit dhe standarde të gjithë pranuara”.